Fondacionet për Shoqëri të Hapur shënojnë 30-vjetorin e pranisë në Kosovë

Fondacionet për Shoqëri të Hapur shënojnë 30-vjetorin e pranisë në Kosovë
Program

Projekte tjera

Data

26 prill 2021

Shpërndaj

Të enjten, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) ka shënuar përvjetorin e tridhjetë të Fondacioneve për Shoqëri të Hapur (OSF) në Ballkan përmes një ngjarjeje virtuale në platformën Zoom, ku janë mbledhur partnerë të tanishëm dhe të dikurshëm, kolegë dhe miq.

Kjo ngjarje, e cila u organizua si pjesë e Nismës 30-Vjeçare, ka ngërthyer një larmi fjalimesh e deklaratash, si dhe një panel të drejtpërdrejtë me folës të spikatur, të cilat kanë pasqyruar trashëgiminë e OSF-së në Ballkan.

Ngjarja e KFOS-it ka shënuar fillimin e një nisme rajonale, gjegjësisht të një turneu virtual të të gjitha kryeqyteteve të Ballkanit nga 22 prilli deri më 17 qershor, kur edhe do të përmbyllet në Beograd, aty ku George Soros kishte themeluar Fondacionin Soros për Jugosllavinë para 30 vjetësh.

Në Kosovë, stafi, bordi dhe partnerët e Fondacionit shfrytëzuan këtë mundësi për të shikuar në retrospektivë përgjatë tri dekadash pune filantropike që kanë pasur për qëllim ndërtimin e një shoqërie demokratike në shtetin më të ri të Evropës.

E moderuar nga drejtorja ekzekutive e CiviKos dhe njëherësh anëtare e bordit të KFOS-it Donika Emini, kjo ngjarje filloi me një fjalim të shumanshëm nga drejtori ekzekutiv i Fondacionit Luan Shllaku.

Gjatë fjalimit të tij, Shllaku ka përmendur se OSF-ja ka shpenzuar rreth 73 milionë dollarë në Kosovë brenda 30 viteve të fundit. “Vetëm në periudhën e pasluftës, Fondacioni ka dhënë përafërsisht një grant në ditë”, ka thënë Shllaku.

“Ne ecëm bashkë me Kosovën; i qëndruam afër zhvillimeve te cilat ishin sa dinamike aq edhe fragjile; besuam se mund te ndihmojmë ndërtimin e një shoqërie te hapur”, ka thënë Shllaku ndërsa ka ndarë punën e Fondacionit në katër faza: gjatë segregacionit në Kosovë në vitet e 90-ta; puna me refugjatë në Maqedoni gjatë luftës së Kosovës; shtetndërtimi i pasluftës; dhe përpjekjet avokuese pas pavarësisë.

Shllaku ka folur për punën në ndërtimin e një sistemi paralel të arsimit për shqiptarët e Kosovës të segreguar në vitet e 90-ta dhe për ndihmën që u është dhënë refugjatëve në Maqedoni gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999. Ai po ashtu ka përmendur sfidat me të cilat është përballur Fondacioni gjatë punës për të ndërtuar një Kosovë të pasluftës dhe më tutje pas shpalljes së pavarësisë.

“Vetëm pas shpalljes se pavarësisë më 2008, Fondacioni filloi të dalë nga periudha e rimëkëmbjes së shtetit pas luftës, për ta filluar një periudhë të re kur Fondacioni merr rolin avokues,” ka shpjeguar Shllaku.

Pas fjalimit të Shllakut është shfaqur një video me titullin “Përpjekja për Shoqëri të Hapur në Kosovë” ku janë paraqitur anëtarë të dikurshëm të stafit dhe të bordit, si dhe bashkëpunëtorë të afërt të Fondacionit.

Deklaratat janë ndjekur nga një diskutim i drejtpërdrejtë për trashëgiminë e FShH-së dhe të ardhmen e saj, me një panel të përbërë nga shkencëtari politik, diplomati dhe Kryesuesi i Bordit të KFOS-it Lulzim Peci; shkrimtari dhe intelektuali Veton Surroi; ekspertja e zhvillimit të shoqërisë civile Venera Hajrullahu dhe drejtori ekzekutiv i OJQ-së Aktiv Miodrag Milićević.

Duke folur për trashëgiminë e OSF-së në Kosovë dhe fillimin e përfshirjes së saj në vend, Surroi ka theksuar pjesëmarrjen personale të Soros-it.

“Në atë kohë, vetë George Soros dhe Ariel Neyer ishin të përfshirë personalisht në një orvatje kundër totalitarizmit. Dhe Kosova ishte sfida e fundit totalitare e shekullit XX”, ka thënë Surroi.

Ndërkaq Venera Hajrullahu, e cila ka qenë anëtare e stafit të KFOS-it, ka theksuar rolin e rëndësishëm të KFOS-it në periudhën tranzicionale.

“Hapësira që ka ofruar KFOS-i ka qenë e pashembullt. Ka qenë një qendër që ka tërhequr intelektualë, aktivistë dhe artistë të të gjitha moshave dhe profileve, një hapësirë që ka ushqyer diversitetin, novacionin dhe mendimin jokonvencional”, ka thënë Hajrullahu, duke shtuar se pavarësisht nga arritjet e deritanishme, ka akoma shumë punë.

“Sot, jo vetëm se nuk është kryer puna, por janë shtuar sfida të reja dhe duket se ka çështje të papërfunduara në të gjitha fushat. Pra sa u përket këtyre sfidave, nuk është i vështirë vetëm përparimi, por dhe ruajtja e arritjeve të përmbushura deri më tash”, ka thënë Hajrullahu.

Kryesuesi i tanishëm i Bordit dhe drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) Lulzim Peci ka nënvizuar rolin e rëndësishëm të ka luajtur KFOS-i në avokim, duke themeluar platforma të qëndrueshme sikur Forum2015 në vitin 2003.

“Forumi është platforma më e qëndrueshme dhe më e zëshme për paraqitjen e ideve për politika dhe mendimit alternativ për politikat, përfshirë edhe debatin politik”, ka thënë Peci, duke shtuar se një anë e rëndësishme e punës avokuese të KFOS-it ka qenë paanshmëria dhe aftësia për të punuar me palë të ndryshme brenda spektrit politik. “Forumi ka pasur sukses sepse ka qenë i paanshëm dhe ia ka dalë t’i përfshijë të gjithë elementët kundërshtarë në Kosovë dhe vazhdon ta bëjë një gjë të tillë”.

Duke reflektuar për kohët e trazuara që ka përjetuar rajoni në 30 vitet e fundit, Milićević, i cili drejton një nga OJQ-të kryesore të serbëve të Kosovës në vend dhe Qendrën e Energjisë Qytetare (CEC) në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se OSF-ja ka luajtur një rol vendimtar në mbështetjen e aktivizmit qytetar .

“Është po ashtu e qartë që angazhimi i Fondacionit në Ballkanin Perëndimor ka kontribuuar në mënyrë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e qasjeve të reja dhe inovative që të promovohen ndryshimet pozitive në shoqëri përmes aktivizmit lokal qytetar në nivelin e komuniteteve”, ka thënë Milićević. “Sa i përket kësaj, KFOS-i gjithherë ka pasur guximin për t’i qëmtuar metodat e aktivistëve qytetarë si katalizatorë të ndryshimit pozitiv në nivelin e komuniteteve dhe për të krijuar një momentum që çon drejt krijimit të një shoqërie më të hapur, më të larmishme dhe më tolerante”.

Diskutimi, pyetjet e mysafirëve dhe reflektimet e panelistëve mund të janë të përmbledhura në videon poshtë.


Më shumë

Regjistrohu për të marrë lajme në lidhje me KFOS