FTESË PËR OFERTIM PËR SHËRBIME

Projekti: “Promovimi dhe Realizimi i të Drejtave të Romëve në Kosovë dhe Shqipëri – P7414”
Pala Kontraktuese: Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)
Afati i fundit për aplikim: 21 maj 2025, ora 15:00
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) shpall ftesë për ofertim për prokurimin e shërbimeve që përfshijnë krijimin e identitetit vizual (brendimit), zhvillimin e uebfaqes dhe mirëmbajtjen e rrjeteve sociale (Facebook/Instagram) për projektin “Promovimi dhe Realizimi i të Drejtave të Romëve në Kosovë dhe Shqipëri P7414”. Projekti zbatohet nga KFOS në partneritet me organizatën “Nevo Koncepti” në Kosovë dhe “Drejtësi Sociale” në Shqipëri, me mbështetje financiare nga Ministria Federale e Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), fondacioni gjerman Karl Kübel Stiftung dhe vetë KFOS.
Qëllimi i projektit është përmirësimi i pozitës së komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptiane në Kosovë dhe Shqipëri, përmes ndërtimit të kapaciteteve institucionale dhe zhvillimit të politikave publike që adresojnë sfidat në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe punësimit. Në këtë kuadër, një komponent kyç i projektit është sigurimi i dukshmërisë përmes komunikimit të rregullt dhe efektiv me publikun dhe palët e interesit.
Shërbimet e kërkuara përfshijnë: krijimin e logos dhe elementeve të tjera të identitetit vizual të projektit; zhvillimin dhe mirëmbajtjen e një uebfaqeje funksionale dhe përmbajtësore për projektin; dhe menaxhimin aktiv të llogarive të projektit në Facebook dhe Instagram, për qëllime të promovimit të aktiviteteve, rezultateve dhe angazhimit me komunitetin.
Ofertuesit e interesuar duhet të dorëzojnë:
- Ofertën teknike, që përshkruan qasjen e punës dhe metodologjinë për realizimin e shërbimeve;
- Ofertën financiare, të strukturuar sipas Termave të Referencës;
- Certifikatën e regjistrimit të biznesit (ARBK);
- Portofolin me projekte të ngjashme dhe referenca nga klientë të mëhershëm;
- CV-të e stafit kyç që do të angazhohet në realizimin e shërbimit.
Të gjitha dokumentet duhet të dorëzohen në mënyrë elektronike, të nënshkruara dhe të vulosura, në adresën: hekuran.jedrashi@osfwb.org, me kopje në: lura.limani@osfwb.org dhe dukagjin.hyseni@osfwb.org, më së voni deri më 21 maj 2025, ora 15:00.
Ju lutemi të siguroheni që të përfshini të gjitha dokumentet e kërkuara, pasi mungesa e tyre rezulton në diskualifikim të menjëhershëm të ofertës. Për më shumë detaje, konsultoni Termat e Referencës të bashkangjitur me këtë ftesë.