Forumi 2015: Tryeza e rrumbullakët “Zgjidhje”
Forum 2015, organizon tryezën e rrumbullakët “Zgjidhje” e cila do të mbahet të premten, më 1 Mars, 2013, me fillim në orën 10:00, në Sallën Diari, Hoteli Swiss Diamond.
Kosova tashmë ka hyrë në dialogun e radhës me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe njëra ndër çështjet më kritike që tashmë ka filluar të diskutohet është ajo e serbëve të Kosovës në veri të vendit, dhe integrimit të tyre në strukturat shtetërore të Kosovës. Edhe pse Plani i Ahtisaarit ofron zgjidhje të avancuar për serbët e kësaj pjese, zgjidhja përfundimtare është kërkuar shumë shpesh në disa modele evropiane të akomodimit pakicave etnike, mirëpo pa shikuar me në thellësi se çfarë sjellin ato.
Forumi 2015 e pa shumë të nevojshme që këto modele të zbërthehen dhe të shikohen më për së afërmi se çfarë ofrojnë ato në krahasim me Planin e Ahtisaarit. Kjo analizë, e quajtur “Zgjidhje” bën krahasim mes Planit të Ahtisaarit në njërën anë dhe disa modeleve që sjellin një shkallë më të ulët ose më të gjerë të kujdesit të posaçëm për minoritete etnike ose/dhe kulturore, të përfolura më së shpeshti si: (1) Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni, (2) Autonomia e Vojvodinës, (3) Tirolit të Jugut, dhe (4) Katalonisë; e zbërthyer në disa kategori që janë pjesë përbërëse të një autonomie, siç janë: gjuha, mediat, arsimi, shëndetësia, financat, policia, religjioni, gjyqësia, institucionet politike dhe elementet tjera funksionale të një autonomie.
Në këtë tryezë do të prezantohet edhe studimi “Të Largosh Mjegullën e një Konflikti” i bërë nga Instituti Kosovar i Paqës, që adreson problemin e veriut të Kosovës, zhvillimet politike pas vitit 1999, dhe shtrirjen e pushtetit/eve në këtë pjesë të Kosovës. Ky studim do të sjell një informacion të bollshëm dhe kritik për temën e kësaj tryeze.