Çka tutje me FSK: Ushtri apo jo?

Çka tutje me FSK: Ushtri apo jo?
Program

Forum 2015

Data

14 qershor 2013

Shpërndaj

Sektori i sigurisë në Kosovë ka kaluar në tri faza të zhvillimit: Faza e parë (1999-2005) ngërthente fazën e themelimit të sektorit të sigurisë nga “zeroja” ku prania ndërkombëtare kishte rol ekzekutiv; faza e dytë (2005-2008) karakterizohej nga procesi i kalimit fillestar të përgjegjësive nga prania ndërkombëtare tek vendorët; si dhe faza e tretë (2008-2013) reflektonte arkitekturën e re të sigurisë (të bazuar në Planin e Ahtisaarit) që rezultoi në krijimin e institucioneve të reja të sigurisë ku u dallua Forca e Sigurisë së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) u ndërtua fillimisht me qëllim të kryerjes së detyrave në sferën e mbrotjes civile, asistimit të organeve të rendit dhe de-minimit. Ajo ishte dhe mbeti një ndër institucionet më të besuara në vend dhe si rrjedhojë konsiderohet shtyllë e shtetësisë së vendit. Gjatë periudhës pesë-vjeçare FSK arriti të dëshmoj kapacitetet e saja në përmbushjen e mandatit aktual mirëpo institucioni u karakterizua me dobësi në sferën e qeverisjes së mirë dhe sidomos qeverisjes financiare përfshirë dhe sfida tjera në ngritjen e kapaciteteve profesionale. Megjithatë, sfidat që karakterizuan ndërtimin e këtij institucioni nuk privuan atë në fillimin e rishikimit të mandatit ashtu siç parashihet me Planin e Ahtisaarit ku shprehimisht lejohet rishikimi pesë vite që nga data e themelimit të saj. Arsyeja e propozimit të një mandati të ri konsiston në nevojën e konsolidimit të një institucioni që buron nga “poshtë-lartë” e jo nga “lartë-poshtë”, duke iu referuar faktit që deri më tani institucionet e sigurisë në vend (dhe sidomos FSK) ishin propozuar nga akterët e jashtëm që nuk morën në konsideratë kontekstin dhe nevojat e brendshme.

Duke pasur parasysh nevojën e trajtimit të kësaj çështje nga perspektiva jo-qeveritare, Forum 2015 ka vendosur trajtimin e mandatit të ardhshëm të FSK-së në kontekst të proceseve të fundit shtet-ndërtuese në vend. Konferenca organizohet në vigjile të procesit të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë në të cilën Qeveria e Kosovës është duke bërë vlerësimet lidhur me arkitekturën e ardhshme të sektorit të sigurisë në vend.

Në këtë konferencë do të trajtohen gjetjet e një dokumenti të politikave të përgatitur nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) lidhur me të ardhmen e FSK-së. Dokumenti ka elaboruar tre skenarë të mundshëm të së ardhmes së FSK-së duke u bazuar në një metodologji bashkëkohore të skenarëve të politikave. Kjo është hera e parë ku kjo temë hapet për një audiencë më të gjerë në të cilën të gjithë akterët e shoqërisë civile do të kenë mundësinë e komentimit të një çështjeje në interes të sigurisë së Kosovës. Paneli do të përbëhet nga akterët kyç vendor dhe ndërkombëtar.

Forum 2015 organizon konferencën e cila do të mbahet me 18 qershor 2013, në Swiss Diamond Hotel, duke filluar nga ora 10:00.

Publikimin mund ta shkarkoni këtu:



Më shumë

Regjistrohu për të marrë lajme në lidhje me KFOS