KFOS lanson “Panelet diellore në shkolla” sot në Prishtinë

KFOS lanson “Panelet diellore në shkolla” sot në Prishtinë
Data

7 prill 2023

Shpërndaj
Të premten me 7 prill u lansua projekti “Panelet diellore në shkolla në Ballkanin Perëndimor” në dy shkollat e ulëta të mesme “Qamil Batalli” dhe “Iliria” në Prishtinë. Mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, dhe realizuar në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Jaha Solar, ky projekt synon të promovojë tranzicionin energjetik duke rritur kapacitetet prodhuese të energjisë së pastër dhe të  ripërtërishme — si dhe të mundësojë shkollat publike të ulin shpenzimet në energji dhe t’i shfrytëzojnë këto mjete për nevoja tjera. 


Si rezultat i këtij projekti, dy shkolla pilot të Komunës së Prishtinës,  “Qamil Batalli dhe “Iliria”, kanë përfituar me instalime të paneleve solare me kapacitet prej 20.25 kW dhe 18.9 kW, respektivisht, të cilat do t’iu mundësojnë shkollave të kursejnë prej 21% dhe 30 % në faturat e tyre të rrymës. Në terme monetare shkollat do të mund të kursejnë prej 2,200 deri ne 2,500 euro në vit vetëm nga faturat e tyre të rrymës. 


Projekti synon të zgjerojë burimet e të ardhurave për shkollat publike, të forcojë vetëqeverisjen dhe pronësinë e programeve sociale, të mbështesë tranzicionin në energji të qëndrueshme, të rrisë përfshirjen sociale në arsim dhe të krijojë shkolla miqësore me mjedisin. 
Drejtori i shkollës “Qamil Batalli”  z. Liridon Maliqi falemnderoi KFOS-in për investimin, Komunën e Prishtinës për mundësinë që ky investim të ndodhë në shkollat në Prishtinë, e specifikisht në shkollën e tij,  si dhe Jaha Solar për implementimin e projektit. 


Nënkryetari i komunës së Prishtinës, z. Alban Zogaj u shpreh se komuna e Prishtinës është shumë mirënjohëse për një investim të tillë, pasi që kjo i ndihmon jo vetëm komunës, por edhe tërë Kosovës dhe industrisë së energjisë në vend. 
“Këto projekte, qofshin të vogla apo edhe të mëdha e ndihmojnë kursimin e energjisë, sepse e përdorin një energji e cila vjen prej diellit e që është energji e lirë. E tërë idea është me e përdorë atë energji, e mos me e përdor energjinë që prodhohet prej djegies së thëngjillit që është tepër e dëmshme për ambientin dhe shëndetin e njeriut,” tha nënkryetari Zogaj.


Ndërsa drejtorja ekzekutive e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur znj. Lura Limani,  potencoi që ky pilot projekt është pjesë e projektit rajonal i cili është duke u zbatuar në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Serbi, ndërsa sivjet do të fillojë të implementohet edhe në Bosnje e Hercegovinë. “E falenderojmë komunën për bashkëpunim dhe shpresojmë që ashtu siç janë zotuar, do t'i kthejnë mjetet e kursyera si investim në shkollë për infrastrukturë ose aktivitete shtesë”, u shpreh znj. Limani.


Në përurim ishte prezente edhe znj. Zanfina Kabashi nga Jaha Solar, e cila e bëri një prezentim të shkurtër të anës teknike të implementimit të projektit.
Investimi është bërë tërësisht me mjete të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, mirëpo po të ishte bërë nga vetë komuna apo shkolla, kthimi në investim do të ishte 6 vite.
Pasi që në Kosovë shkollat fillore nuk menaxhojnë me buxhet dhe nuk kanë as llogari bankare, mjetet e kursyera, sipas zotimit të Komunës së Prishtinës, do t’u kthehen shkollave për të kontribuar në mirëmbajtjen e tyre apo të shtohen investimet kapitale në këto dy shkolla.
Projekti është iniciativë e përbashkët e Fondacioneve për Shoqëri të Hapur në katër vende të Ballkanit - Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. Në vitin 2023, projekti do të zgjërohet për të përfshirë edhe Bosnjën e Hercegovinën.
Më shumë

Regjistrohu për të marrë lajme në lidhje me KFOS