Green Action Space mban debat për të ardhmen e thëngjillit në Kosovë
Të mërkurën me 30 mars 2022, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Instituti Riinvest kanë organizuar Bisedën e Gjelbër me temën “E ardhmja e thëngjillit në Kosovë”, në kuadër të serisë së diskutimeve lidhur me çështjet vitale që ndërlidhen me Agjendën e Gjelbër.
Gjatë këtij debati që u mbajt në hapësirën e Green Action Space, një platformë e themeluar bashkarisht nga dy organizatat, u diskutua për mundësitë e zhvillimit energjetik në Kosovë karshi obligimeve që Kosova ka marrë në rrugën e integrimeve evropiane.
Në fjalën hyrëse Alban Hashani, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Riinvest, tha se është i lumtur me interesimin e madh për të marrë pjesë në debatin e parë të Green Action Space, një platformë që ka për qëllim të iniciojë diskutime për të nxitur politika adekuate zhvillimore në interesin më të mirë publik.
“Kjo iniciativë ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve në përpjekjet për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Diskutimet e deritanishme, veçanërisht në sektor të ndjeshëm si për energjinë e mjedisin, kanë qenë të kufizuara dhe nuk janë paraprirë me një strategji,” tha Hashani.
Luan Shllaku, Drejtor Ekzekutiv i KFOS, në rolin e moderatorit të debatit, mori mendimet e panelistëve dhe pjesëmarrësve të tjerë rreth temës.
Gjatë debatit u bë edhe një anketë e publikut, rezultatet e së cilës përputheshin me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor — shumica e të pranishmëve mendonin se Kosova duhet të fokusohet në energjinë alternative, dhe jo në atë me thëngjill.
“Si t’ia bëjmë me thëngjillin?,” pyeti Shllaku panelistët duke shtuar, “Kemi aq shumë qymyr, kemi 14 miliardë tonë qymyr, ndërkohë e kemi një Kosovë e cila është e stërbanuar…Fakt është qe ne duam të jemi pjesë e Evropës, e Evropa na thotë: ‘Ndaluni pak, duhet të luani sipas rregullave tona’. Marrëveshja e Gjelbër Evropiane thotë se deri në vitin 2035, resurset fosile ku bën pjesë dhe thëngjilli duhet të zvogëlohen deri në 50%, e 100% deri në 2050. Evropa është shumë e ashpër me këtë.”
Sipas tij, investimi në kapacitet për prodhimin e energjisë elektrike me qymyr mund të jetë investimi më i shtrenjtë për një kilovat orë, më i shtrenjtë sesa një kilovat i prodhuar në mënyrë alternative.
Gëzim Tërnava, drejtor i Inxhinieringut të Mihjeve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), tha se pikërisht sivjet bëhen 100 vjet që kur ka nisur shfrytëzimi i qymyrit nga baseni i Kosovës.
Në lidhje me temën e debatit, se çka duhet të bëhet në të ardhmen me thëngjillin në Kosovë, Tërnava tha se kjo do të qartësohet me strategjinë që pritet të miratohen shumë shpejt nga Qeveria e Kosovës.
“Ne si KEK do të operojmë konform asaj strategjie që do të na vijë e miratuar nga Qeveria. Nuk besoj se kemi mundësi ta përfundojmë shpejt atë tranzicionin energjetik që po e diskutojmë. Kosova nuk ka kapacitet ta bëjë shpejt këtë tranzicion”, u shpreh drejtori i Inxhinieringut të Mihjeve në KEK.
Duke e përforcuar qëndrimin e tij se thëngjilli – si një pasuri e Kosovës duhet të vazhdojë të shfrytëzohet – jo vetëm për djegie, Tërnava tha se në BE janë mbi 200 produkte të licencuara me bazë qymyri. Ai gjithashtu tha se nuk pajtohet se kostoja e prodhimit të energjisë nga qymyri do të jetë më e lartë, “pa një analizë të detajuar”.
Gazmend Begolli, këshilltar i kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, tha se Kosova prodhon rrymë nga thëngjilli pasi kjo është më e lira.
“Qymyrin ne për me prodhu energji elektrike e shfrytëzojmë vetëm pse nuk kemi kilovat orë më të lirë. Kurrkush nuk don me djeg qymyr.”
Rrezearta Pushkolli, nga “Women in Energy & Mining” tha se, “Duhet të mendojmë për alternativa të burimeve të shfrytëzimit të energjisë, por ne si Kosovë i kemi kapacitetet e mundësitë që ta shfrytëzojmë thëngjillin."
Për të ndjekur debatin e plotë shihni videon më poshtë: