Përfundimi i dialogut: Çfarë mund të presë Kosova nga ky proces?

Përfundimi i dialogut: Çfarë mund të presë Kosova nga ky proces?

Sot, më 29 shtator 2016, u mbajt tryeza diskutuese e radhës së Forum 2015 e organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, ku u trajtua dialogu Kosovë-Serbi dhe e ardhmja e tij në realitetin e ri politik në këto dy vende. Fillimisht u prezentua një analizë nga gazetari Agron Bajrami mbi momentin në të cilin ndodhet Kosova në dialogun e Brukselit dhe çështjet urgjente që duhet shikuar vendi para se të vazhdojë tutje bisedimet me Serbinë.

Panelistët në këtë diskutim trajtuan trajektoren e deritanishme të dialogut, duke potencuar të metat të cilat ky dialog ka pasur që kanë rezultuar në mungesën e implementimit të marrëveshjeve të arritura deri tani. Ndër këto të meta u përmend edhe mungesa e transparencës përgjatë kohëzgjatjes së dialogut, duke filluar nga transformimi i tij nga një dialog teknik në atë politik.

Kjo mungesë e transparencës u konsiderua nga panelisti Veton Surroi, themelues i grupit medial KOHA, si tentim i fshehjes së faktit që dialogu në fakt ka qenë proces negociues. Sipas tij, alternativa e dialogut është një proces më serioz negociator. I të njëjtit mendim ishte edhe panelisti David L. Phillips, nga Instituti për Studime të të Drejtave të Njeriut në universitetin Columbia në SHBA. Sipas z. Phillips, dialogu duhet të transformohet në proces negociues, ku SHBA-ja do të kontribuonte me përfaqësuesit e vet. Duke qenë se procesi i deritanishëm i dialogut nuk ka qenë negociatë shtet-me-shtet, si i tillë, nuk mund të funksionojë si duhet.

Për këtë çështje, panelisti Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje ka konsideruar se Kosova në procesin e dialogut ishte më shumë vetëm temë sesa palë. Sipas z. Kurti, është urgjente të fillohet një dialog me serbët e Kosovës. Në këtë mënyrë, do të forcohej komponenti socio-ekonomik në raport me dialogun me Serbinë. Sipas tij, prioriteti i qytetarëve të Kosovës, pavarësisht se a janë shqiptarë, serbë, turqë, ashkali, egjiptianë apo goranë, nuk është dialogu me Serbinë, por është punësimi dhe drejtësia.

Më tutje u diskutua roli i Bashkimit Evropian në procesin e dialogut, rol ky që u kritikua nga panelistët për shkak të incentivave jo-efektive që kjo e fundit ka përdorur deri më tani për të sjellë palët në tryezën e diskutimit. Z. Surroi ka përmendur asimetrinë në mes të Kosovës dhe Serbisë karshi BE-së, duke shtuar se Serbia përgjatë këtyre viteve të dialogut ka bërë më shumë hapa përpara BE-së se sa Kosova.

Si qëllime përfundimtare, panelisti David Philips përmendi njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, kur pas kësaj, Kosova do të duhej të fitonte ulëse në Kombet e Bashkuara. Mbi këtë çështje, panelisti Bosko Jaksic u deklarua se politika serbe, jo vetëm tani, por edhe më herët, ka mbetur peng i deklaratave të tyre kategorike “kundër” pavarësisë së Kosovës. Në këtë aspekt, Jaksic shprehu skepticizëm ndaj mundësisë së njohjes së Kosovës nga Serbia, mirëpo e konsideroi si të mundshme që Kosova nga dialogu të përfitojë ulëse në Kombet e Bashkuara.

Më shumë

Regjistrohu për të marrë lajme në lidhje me KFOS