Grante emergjente për mediat e pavarura për mbulim të pandemisë COVID-19

Grante emergjente për mediat e pavarura për mbulim të pandemisë COVID-19
Program

Covid-19

Data

18 maj 2020

Shpërndaj

Përhapja e virusit Covid-19 ka shkaktuar një krizë të shëndetësisë publike, të shoqëruar me një krizë ekonomike, në mbarë botën. Në Kosovë, ku masat preventive u morën që në shfaqjen e rastit të parë të infektuar, pandemia ka filluar të ndikojë ndjeshëm në ekonominë e brishtë të vendit.

Sektori i pavarur medial po ashtu është afektuar dukshëm:  shumica e mediumeve të pavarura kanë raportuar rënie të të hyrave të tyre nga reklamat dhe disa prej tyre kanë larguar nga puna gazetarë e punëtorë tjerë si rezultat i situatës së shkaktuar nga pandemia.

Megjithatë, në këto rrethana të pa precedent, gazetarët dhe organizatat mediale kanë vazhduar punën e tyre duke mbajtur qytetarët e informuar.

Duke pasur parasysh rolin esencial të gazetarisë së pavarur në situata të emergjencës dhe nevojën për raportim të drejtë në këtë kohë, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) ka përpiliuar një skemë grantesh emergjente për të ndihmuar mediat e pavarura të regjistruara në Kosovë.


Këto grante emergjente do tu jepen mediave lokale për t’i ndihmuar të raportojnë më thellësisht ndikimin dhe pasojat e pandemisë Covid-19 në Kosovë.

Aplikacionet do të pranohen prej 18 maj deri më 25 maj, 2020 në ora 23:59 në konkursi@kfos.org

Për tu kualifikuar për këtë grant, duhet t’i plotësoni këto kritere:

  • Jeni medium i licencuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave ose anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës;
  • Keni çertifikatë të regjistrimit si OJQ apo si biznes nga ARBK-ja;
  • Aktivisht mbuloni pandeminë e Covid-19, duke përfshirë raportim nga terreni;
  • Të keni kapacitete raportuese me një staf me orar të plotë prej së paku 5 individëve;
  • Jeni medium i themeluar para së paku 2 viteve;
  • Të dokumentoni që jeni aktivisht duke mbuluar pandeminë e Covid-19, duke prodhuar shkrime/reportazha origjinale.

Prioritet do të kenë:

  • Mediat që mbulojnë zona veçanërisht të afektuara nga Covid-19;
  • Mediat që mund të dëshmojnë se si granti do tu shërbejë në qëndrueshmërinë afat-gjate të organizatës;
  • Mediat që dëshmojnë që kanë një model të qëndrueshëm biznesi (të dëshmuar nga të hyrat digjitale dhe numri i vizitorëve unikë në websajtin e tyre);
  • Mediat që janë transparente për pronësinë dhe redaksinë e organizatës;
  • Mediat që respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin e Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës;
  • Mediat që u shërbejnë komuniteteve të margjinalizuara.

Organizatat mediale kanë të drejtë për të aplikuar për një grant të njëhershëm në vlerë prej 5,000 deri në 10,000 euro.

Fondet nga granti mund të shfrytëzohen për të mbuluar: kosto operacionale të organizatës, kompenzim të stafit, kompenzim të kontributorëve të jashtëm, blerjen e paisjeve dhe softuereve (teknologjive të reja) ndihmëse për punë.


Aplikacioni i secilës organizatë duhet të përfshijë:

  • Një përshkrim se si do të përdoren mjetet e grantit dhe qëllimi i tyre
  • Tabelë buxhetore me shumën e kërkuar
  • Informata mbi organizatën, duke përfshirë numrin e punëtoreve dhe webfaqe
  • Detaje në lidhje me modelet e të hyrave nga platformat digjitale: ndarje në përqindje nga të hyrat prej lexuesve, numri i vizitorëve unikë digjital (në webfaqe)
  • Pasqyrat e raportuara financiar për 2018 dhe pasqyra për 2019 / Ose raportet e audituara për këto dy vite
  • Vërtetimin tatimor nga ATK
  • Shembuj të mbulimit mediatik të pandemisë Covid-19

Përfituesit e granteve pranojnë të marrin pjesë në anketë për të mbledhur informata për gjendjen e sektorit.

Për të aplikuar shkarkoni formën e aplikimit këtu dhe formën për deklarim të konfliktit të interesit këtu.

Aplikacionet do të pranohen prej 18 maj deri më 25 maj, 2020 në ora 23:59 në konkursi@kfos.org

Vërejtje:

Kjo skemë granti nuk është zëvendësim për Pakon Emergjente të përpiluar dhe zbatuar nga Qeveria e Kosovës.

Për shkak të fondeve të limituara KFOS nuk do të mund të përkrahë të gjitha mediumet që janë duke mbuluar pandeminë dhe kanë nevojë për ndihmë financiare, prandaj prioritet do t’u jepet organizatave që arrijnë t’i plotësojnë kushtet e lartcekura dhe të jenë bindëse që këto fonde do tu ndihmojnë në mbulimin e krizës. 

Për shkak se këto mjete do të ndahen si pjesë e pakos emergjente në përgjigje të Covid-19, KFOS nuk do të mund të shqyrtojë ankesa në rast të aplikacioni për grant nuk është i suksesshëm.

Më shumë

Regjistrohu për të marrë lajme në lidhje me KFOS