Surroi dhe Kurti bisedojnë për dialogun Kosovë-Serbi
Të hënën me 22 mars, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) organizoi bashkëbisedimin “Si tutje me dialogun?” në mes të shkrimtarit dhe publicistit Veton Surroi dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Moderuar nga Lura Limani, kordinatore e programit në KFOS, diskutimi i organizuar si pjesë e serisë Forum2015, mblodhi përfaqësues të Platformës së Shoqërisë Civile për Dialog dhe ekspertë të dialogut Kosovë-Serbi.
Duke prezantuar një listë rekomandimesh për qeverinë e re të Kosovës, e cila u votua pak orë pas mbajtjes së tryezës, Surroi theksoi se karakteristika e parë e procesit të deritanishëm të dialogut ishte pamjaftueshmëria.
“Nuk ekziston asnjë ndryshim strukturor e në permisë, që bën procesin të kalojë atë pragun e pamjaftueshmërisë, e kjo natyrisht se jo vetëm që i jep të drejtë por edhe obligim Qeverisë së ardhshme dhe pjesëve të shoqërisë që duan të ndihmojnë këtë proces që të bëjnë rivlerësimin e procesit dhe marrëveshjeve në mënyrë që të bëhet përparimi i këtij procesi, që të kalohet ai prag, natyrisht gjithnjë brenda këtij mandati që e ka BE si lehtësuese e procesit,” ka thënë Surroi.
Surroi po ashtu foli për ndryshimet gjeopolitike dhë rëndësinë e rikyçjes së Shteteve te Bashkuara të Amerikës në këtë proces për të prodhuar jo vetëm integrim evropian, por integrim euroatlantik.
“Përgjatë këtyre dhjetë vjetëve çështja e negociatave mes Kosovës e Serbisë i ka ndihmuar në mënyrë të rëndësishme Rusisë që të zhvillojë konfliktin e vet sistematik me Perëndimin, duke mos lejuar që nëpërmjet zgjidhjes së marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë të arrihet shtrirje e integrimeve euroatlantike,” tha Surroi.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti renditi katër parime që ai cilësoi që duhet të jenë udhërrëfyes për dialogun e ardhshëm.
Kurti tha se duhet të pranohet realiteti, e vërteta, dhe barazia e palëve në process, duke thirrur për një dialog nga i cili përfitojnë qytetarët.
“Duhet pranuar realiteti sepse nuk mund të kthehemi para pavarësisë, po të ishte e mundur edhe ne do të kërkonim më shumë. Pavarësia ishte kompromis dhe nuk është shpallë vitin e kaluar por para 13 vjetësh, ndërsa katër vjetët e para ishin pavarësi e mbikëqyrur ndërkombëtarisht e vetë faktorët ndërkombëtarë thanë se duhet ta përfundojmë mbikëqyrjen e pavarësisë së mbikëqyrur. E dyta, duhet pranuar e vërteta, nuk mund të ulemi në tavolinë të bisedimeve duke harruar e për ta rrafshuar historinë. Nuk do vijë në një pozitë, historia e një shteti që nuk dihet por që dihet. Serbia duhet të pranojë krimet që ka kryer në Kosovë dhe pushteti duhet të distancohet pre tyre. Duke mos u distancuar, do të përfundojë gjithnjë e më shumë duke u identifikuar me to. Nëse nuk ka reflektim në këtë drejtim, vështirë të ketë ndonjë progres sepse çfarëdo marrëveshje pa pendim e keqardhje nuk është e sinqertë dhe e zbatueshme siç nuk janë shumë prej atyre që janë nënshkruar,” tha Kurti.
Në lidhje me marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti tha se nuk mund të ketë asociacion një-etnik.
“Neni 44 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës garanton lirinë e asocimit, nuk ka nevojë të negociohet diçka që e kemi të garantuar me Kushtetutë. Kapitulli i dytë i Kushtetutës numëron të drejtat e liritë themelore. Nuk mund të kemi asociacion njëetnik. Nuk mund të jetë karakteri i Asociacionit të Komunave njëetnik,” tha ai.