KITU organizon marsh protestues: Veting në arsimin e lartë!

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU), i përbërë nga  Admovere; Demokracia për Zhvillim (D4D); Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS); Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED); Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA); Çohu; Qendra për Arsim e Kosovës (KEC); Qendra për Kurajo Politike (CPC), të shqetësuar për shkeljet e vazhdueshme si dhe dhe mosgatishmërinë e institucioneve arsimore për ndërmarrjen e masave, organizon të mërkurën, më datë 4 dhjetor 2019 marsh protestues me kërkesën “Veting në Arsimin e Lartë!”.

Të vetëdijshëm për rëndësinë dhe rolin e etikës dhe integritetit akademik KITU është jashtëzakonisht e shqetësuar me vendimet e Këshillit të Etikës së UP-së, lidhur me denoncimet e partnerëve të koalicionit ADMOVERE dhe ORCA, me të cilat vendime amnistohet plagjiatura dhe mashtrimi akademik. Përgjigjet e Këshillit të Etikës se nuk kanë mandat e as mundësi profesionale për t’i shqyrtuar denoncimet janë të papranueshme për Koalicionin dhe si të tilla konsiderohen joetike. 

Si organizata të shoqërisë civile konsiderojmë se tashmë për dy vite me radhë i kemi shtjerrë të gjitha mjetet institucionale të adresimit të problemeve përmes raporteve, tryezave, kampanjave, takimeve e formave të tjera. Mungesa e seriozitetit nga ana e Universitetit na bën që tani të përdorim mjete tjera demokratike, prandaj më 4 dhjetor 2019 ftojmë të gjithë qytetarët, studentët, organizatat studentore, organizatat e shoqërisë civile që të bashkohen në marshin me kërkesat për: 

1. Krijimin e komisionit për verifikimin e plagjiaturave; 

2. Krijimin e komisionit për verifikimin e titujve akademikë. 


Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.